28.04.2025 - AKTIVITET TRAJNUES: “Dëmi kontraktor dhe jashtëkontraktor. Dëmi i fazës paraprake të lidhjes së kontratës. Lidhja shkakësore dhe gjykata kompetente.”

Shkolla e Magjistraturës, më datë 28 prill 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Dëmi kontraktor dhe jashtëkontraktor. Dëmi i fazës paraprake të lidhjes së kontratës. Lidhja shkakësore dhe gjykata kompetente”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Marjana Semini dhe Margarita Buhali

Lehtësuese: Arta Duka

Qëllimi i këtij trajnimi është: që pjesëmarrësit të njihen problematikat ligjore e të praktikës gjyqësore; të diskutohen ato dhe të ofrohen interpretimet dhe zgjidhjet më të mira të pranuara nga jurisprudenca. 

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Dëmi kontraktor në paditë për përmbushjen në natyrë të detyrimit dhe zgjidhjen e kontratës;
  • Shpërblimi i dëmit si padi kryesore dhe padi aksesore. Padia e pavlefshmërisë së VJ dhe shpërblimi i dëmit;
  • Raporti i dëmit me pamundësinë e përmbushjes se detyrimit;
  • Elementët e dëmit kontraktor: paligjshmëria e veprimit/mosveprimit; ekzistenca e dëmit; faji dhe lidhja shkakësore;
  • Dëmi efektiv dhe fitimi i munguar. Kushti penal;
  • Raste të praktikës gjyqësore në lidhje me dëmin kontraktor;
  • Kuptimi i përgjegjësisë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor. Kushtet për shpërblimin e dëmit;
  • Raporti midis përgjegjësisë penale dhe asaj civile nga fakti i paligjshëm;
  • Parashkrimi i padisë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor;
  • Kategoritë e dëmit jashtëkontraktor: dëmi pasuror dhe jopasuror. Komponentët e dëmit jopasuror: dëmi biologjik, moral dhe ekzistencial;
  • Mënyra e llogaritjes se dëmit  jashtë kontraktor;
  • Shpërblimi i dëmit në rastet e kërkesave procedurale para gjykatës; 
  • Praktika gjyqësore e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit te Përgjithshëm lidhur me dëmin kontraktor mbi analizën e lidhjes shkakësore midis mospërmbushjes së kontratës dhe dëmit të ardhur;
  • Aspekte të përcaktimit të dëmit efektiv dhe fitimit të munguar;
  • Kërkimi i demit jopasuror nga mospërmbushja e kontratës;
  • Aspekte të lidhura me mënyrën e llogaritjes së dëmit jashtëkontraktor.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.